Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se kanë hyrë në rezidencën Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham, ku qëndrojnë Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, në rezidencën e çiftit mbretëror në Norfolk, duke shkaktuar një alarm të madh sigurie. Sipas raportimeve të mediave britanike, dy personat dyshohet se nuk e dinin se prona i përkiste Princit William dhe Kate, ndërsa pista kryesore është ajo e një grabitjeje.
Raportohet se dy burrat, të cilët mbanin maska, aktivizuan sistemet e sigurisë së banesës, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji me lazer dhe sensorë lëvizjeje, përpara se të largoheshin nga zona.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, autoritetet po kryejnë kontrolle të mëtejshme ndaj dy të arrestuarve, për të përjashtuar mundësinë që hyrja në pronë të ketë pasur një motiv më të rëndë sesa një tentativë grabitjeje. Po ashtu, raportohet se njëri prej tyre dyshohet se ndodhej ilegalisht në Britaninë e Madhe.
Anmer Hall është rezidenca e pushimeve e Princit William dhe Kate Middleton, të cilën çifti e përdor gjatë fundjavave dhe pushimeve me tre fëmijët e tyre. Prona me dhjetë dhoma gjumi iu dhurua nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011.
