Skip to content

Mjekësia në zi/ Ndahet nga jeta mjeku i njohur kirurg dhe ish-deputet

    Ka ndërruar jetë këtë të enjte, më 26 nëntor, mjeku i njohur kirurg dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, duke lënë pas një karrierë të gjatë në shërbim të mjekësisë shqiptare dhe jetës publike.

    I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, me origjinë familjare nga fshati Ziçisht i Devollit, ai u bë i njohur si për kontributin e tij profesional në kirurgji, ashtu edhe për historinë e vështirë të familjes së tij gjatë regjimit komunist. Ai ishte djali i ish-zyrtarit të lartë Mihallaq Ziçishti dhe nipi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i cili u ekzekutua në vitin 1983 pas goditjes së grupit të Mehmet Shehut.

    Si pasojë e persekutimit politik ndaj familjes, në fillim të viteve ’80 Ylli Ziçishti u internua nga autoritetet e kohës fillimisht në Koman e më pas në Dukagjin, për t’u transferuar në vitin 1983 në Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e mjekut. Gjatë kësaj periudhe të rëndë, për të mbrojtur bashkëshorten dhe djalin e vogël nga pasojat e represionit, u detyrua të ndahej përkohësisht nga familja, me të cilën u ribashkua më vonë.

    Pas përfundimit të studimeve të larta për mjekësi në Tiranë dhe specializimeve të mëtejshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ziçishti u afirmua si një nga figurat më të spikatura të kirurgjisë në vend. Për 16 vite me radhë ai drejtoi shërbimin e Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke kontribuar në trajtimin e mijëra pacientëve.

    Në vitin 2013, Ylli Ziçishti iu bashkua jetës parlamentare si përfaqësues i Partisë Socialiste, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Korçës, në zonën e Devollit, mandat të cilin e ushtroi deri në vitin 2017.