Skip to content

Lajm i mirë për shqiptarët, Zvicra hap 8,500 vende të reja pune për vitin 202

    Zvicra do të ofrojë edhe gjatë vitit 2027 deri në 8,500 leje pune dhe qëndrimi për punonjësit e kualifikuar dhe specialistët nga vendet jashtë Bashkimit Europian dhe Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë, ku përfshihen edhe shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës.

    Këshilli Federal i Zvicrës, në mbledhjen e 25 nëntorit, ka vendosur të mbajë të pandryshuara kuotat e punësimit për shtetasit e huaj, me qëllim që kompanitë zvicerane të vijojnë të plotësojnë nevojat e tyre për fuqi punëtore të kualifikuar.

    Nga 8,500 lejet e parashikuara për shtetasit e vendeve të treta, 4,500 do të jenë leje qëndrimi të tipit B, ndërsa 4,000 do të jenë leje qëndrimi afatshkurtra të tipit L. Rregullorja e ndryshuar do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

    Kompanitë zvicerane kanë të drejtë të rekrutojnë punonjës nga vendet jashtë BE-së dhe EFTA-s, me kusht që të dokumentojnë se përpjekjet për të gjetur punonjës të kualifikuar në tregun vendas apo në vendet e BE-së dhe EFTA-s kanë rezultuar të pasuksesshme.

    Megjithatë, të dhënat e autoriteteve zvicerane tregojnë se gjatë viteve të fundit kuotat e disponueshme nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Në vitin 2025, kompanitë kanë përdorur vetëm 69% të lejeve të disponueshme për punonjësit nga vendet e treta, kundrejt 74% në vitin 2024.

    Deri në fund të shtatorit 2026, kantonet zvicerane kishin shfrytëzuar rreth 50% të kuotave vjetore për këtë kategori punonjësish.

    Qeveria zvicerane ka vendosur të ruajë gjithashtu kuotën prej 3,500 lejesh për punonjësit britanikë dhe 3,500 lejesh të tjera për ofruesit e shërbimeve nga vendet e BE-së dhe EFTA-s, që angazhohen në Zvicër për më shumë se 120 ditë në vit.

    Vendimi është marrë në një kohë kur tregu zviceran i punës po shfaq shenja të një ngadalësimi. Në shtator 2026, norma e papunësisë arriti në 3%, duke shënuar një rritje prej 0.2 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Sipas Këshillit Federal, ruajtja e kuotave në nivelet aktuale u siguron bizneseve më shumë siguri në planifikimin e rekrutimeve, duke marrë në konsideratë situatën gjeopolitike, parashikimet ekonomike dhe nevojat e tregut të punës.

    Për shqiptarët që synojnë të punësohen në Zvicër, vendimi nënkupton ruajtjen e mundësive ekzistuese të rekrutimit. Megjithatë, kuota prej 8,500 lejesh është e përbashkët për të gjitha vendet e treta dhe nuk përbën një kuotë të rezervuar për shtetasit shqiptarë.