Situata në qendër të kryeqytetit vijon të mbetet tejet e tensionuar, e shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit. Në sheshin “Skënderbej”, policia ka hedhur sasi të konsiderueshme gazi lotsjellës si nga toka ashtu edhe nga ajri përmes dronëve, ndërsa në terren janë afruar edhe 2 autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Gjatë manifestimit, protestuesit kanë tentuar t’i afrohen godinës së Bashkisë së Tiranës, por ndërhyrja e forcave të policisë dhe përdorimi i gazit lotsjellës kanë vështirësuar lëvizjen e tyre, duke bërë që re të dendura tymi të mbulojnë të gjithë sheshin. Pavarësisht shpërndarjes së gazit, një pjesë e protestuesve kanë vijuar të qëndrojnë në zonë duke hedhur lëndë djegëse dhe molotovë në drejtim të kordonit të efektivëve.
