Gazetari i njohur Artan Hoxha në një rrëfim të guximshëm këtë të shtunë në “Më lër të flas”, tregoi si rrallëherë për punën e tij investigative në botë e krimit.
I pyetur nëse ndihet i rrezikuar në punën e tij, gazetari tregoi se si i është dashur të negociojë me persona që ishin urdhëruar ta vrisnin atë.
“Kaq vite sa kam në punë, kanë kaluar shumë eksperienca, por kur e mendoj më vjen për të qeshur se nuk qaj dot. Më është dashur të negocioj me njerëz që u kishin dhënë urdhër të më fusnin një plumb. Ai që kishte dhënë urdhër thoshte tek plumb, se ai qitsi ishte nga ata që nuk shtinte të martën, por të mërkurën ta fuste një plumb për dhuratë atij që kishte dhënë porosinë”- tregoi Artan Hoxha.
Madje gazetari, tregoi edhe ‘strategjinë’ e tij për tu mbrojtur.
“Unë zakonisht rri në lokale që njoh pronarin, klientela, mundësisht nga i vjen rakia, pijen e marr vetë te banaku. Zakonisht shpatullat i vë pas muri dhe të kem një kolonë që mund t’i shmangem goditjes së parë. Në bllok më ke parë se të gjithë ata të fortët që rrinin aty janë zhdukur dhe janë ose në Ekuador ose në Kolumbi ose në Dubai. Më i forti aty kam mbetur unë”- tha gazetari.