Pamje të trishta vijnë nga lufta. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka publikuar video të ushtarëve rusë të dorëzuar e të demoralizuar, shumica të lindur në vitet 2000 të cilët kërkojnë nënat e tyre t’i shpëtojnë nga lufta. Në terren mediat ndërkombëtare kanë publikuar foto të një krematoriumi të lëvizshëm të ushtrisë ruse ndërsa ministra e Mbrojtjes ruse pranon për herë të parë se ka të vdekur në radhët e ushtrisë së saj.
“Mami, më largo nga këtu! Ne po vrasim civilë këtu!” Këto janë fjalët e pushtuesve rusë të cilët vullnetarisht dorëzohen në Ukrainë. SBU tregoi se si pushtuesit nga Volgograd u penduan që erdhën në tokën tonë me luftën. Pse ky “ndërgjegjësim” erdhi vetëm kur pushtuesit kaluan pothuajse gjysmën e Ukrainës dhe u gjendën në rajonin e Mykolayiv – pyetja është e hapur.
Sakaq në rrjetet sociale shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka publikuar video ku ushtarët rusë u kërkojnë nënave dhe baballarëve t’i marrin. Shumë prej tyre thonë se nuk kanë luftuar por kanë lënë armët dhe janë dorëzuar vullnetarisht. Të tjerë nuk i kanë mbajtur as lotët ndërsa ukrainasit u kërkojnë llogari se përse kanë shkelur në atdheun e tyre.
Një ushtar thotë se fillimisht i urdhëruan të mos sulmonin civilët, por tashmë ata po godasin shkollat dhe banesat e civilëve. “Boll me kaq, kjo është e tmerrshme, jemi duke vrarë femijë të vegjël, tregojani këto presidentit Putin se çfarë po ndodh ketu”, deklaron ushtari rus. Në mediat ndërkombëtare u shfaqën fotot e një krematoriumi lëvizës ku mund të digjen ushtarët e vrarë rusë.
Krematoriumi i lëvizshëm është parë mes trupave ruse ndërsa vazhdojnë sulmin e tyre në Ukrainë. Sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha për gazetën “The Telegraph” i cili raportoi i pari lajmin, se krematoriumi i lëvizshëm mund të përdoret si një mënyrë për të minimizuar dhe fshehur viktimat ushtarake ruse. Rusia ka krematoriume të lëvizshme në arsenalin e saj për të djegur ushtarët e vdekur.
“Nëse do të isha ushtar dhe e dija që gjeneralët e mi kishin aq pak besim tek unë, saqë po më ndiqnin në fushën e betejës me krematorium të lëvizshëm do shqetësohesha shumë. Qeveria mendon se rruga për të mbuluar humbjet është një krematorium i lëvizshëm,” i tha gazetës Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar. Ai shtoi se krematoriumet e lëvizshme “ndoshta thonë gjithçka që duhet të dini për regjimin rus”.
Në një njoftim zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase inkurajon qytetarët t’i demoralizojnë ushtarët rusë me çdo kusht. “Pamjet e tyre duke u dorëzuar publikojini në rrjetet sociale madje edhe futuni live nëse keni mundësi”, thotë deklarata.
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FSecurSerUkraine%2Fvideos%2F490154422673542%2F&show_text=false&width=560&t=0